Haradinaj viziton kompaninë “Fluidi”, premton ndihmë për prodhuesit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot kompaninë e lëngjeve “Fluidi” dhe atë të vajit “Floil” në Gjilan, në kuadër të vizitës në këtë komunë.Haradinaj u prit nga pronari i këtyre kompanive, Fejzullah Mustafa, i cili e njoftoi kryeministrin me procesin e prodhimit dhe me sfidat e kompanisë, raporton Ekonomia Online.

Mustafa tha se deri më tani ka munguar mbështetja e cila duhet që qeveria të bëjë ndaj bizneseve të Kosovës.

“Por, kryeministri na ka premtuar dhe do vazhdojë në mbështetje për mundësitë që iu ofrohen bizneseve të Kosovës”, tha ai.

Nga ana e bij, Haradinaj lavdëroi këtë prodhues, duke theksuar hapjen e vendeve të reja të punës.“Është një kompani prodhuese, një brend i yni, një brend i mirë i Kosovës. Ka njerëz të punësuar, është taksapagues i mirë”, u shpreh shefi i Qeverisë.

“Kuptohet kemi shumë punë për të bërë përpara. Ekonomia është një sfidë në vete, po duke qenë të gjithë bashkë, edhe institucionet komunale, edhe ato nacionale, edhe sipërmarrësit, jam i bindur që do të hapim vende të reja të punës dhe kemi me mundësu zhvillimin e këtushëm”, deklaroi Haradinaj.